Kisha e Shën Mërisë Krorez

kisha-manastiri-krorez-1 dhe Kisha e Shën Mërisë Krorez Nivicë është një kishë me strukturë në formë kryqi me kupolë mbi katër mbështetje të lira që ngjan me kishat bizantine. Struktura e brendshme nuk shfaqet në çati, ndërsa mbulesa dyujëshe i jep asaj pamjen e një bazilike me kupolë në transept. Ka përmasa të brendshme 7,90 x 4,40 m. Ngritur në një breg shkëmbor piktoresk buzë detit Jon, rreth 2 km Veri-Perëndim të kishës së Manastirit të Kakomesë. Përbëhet nga një vëllim unik dhe ka në brendësi naosin, të ndarë nga ambienti i altarit nëpërmjet një ikonostasi prej muri të suvatuar. Naosi ndriçohet nga dy dritare të ngushta në muret veriore e jugore dhe dritaret e tamburit, ndërsa ambienti i altarit ka dy dritare të vogla.

Dyshemeja e kishës është shtruar me pllaka drejtkëndëshe dhe ka një rozete në pjesën nën kupolë me një yll 6 cepash në mes. Sistemi i mbulesës me harqe e qemerë mbështetet mbi 4 kolona me prerje rrethi dhe muret anësore. Çatia është mbuluar me rrasa guri dyujëse. Muret e kishës janë ndërtuar me gurë të çrregullt e llaç gëlqereje duke pasur në rreshtat e tyre tendencë horizontaliteti. Në anën Perëndimore është shtuar një mur me një hapësirë të harkuar në mes, që mbledh ujërat e çatisë për të kaluar në sterrën e ndërtuar në anën Veriore të saj. Ndërtesa me çardak është dykatëshe dhe u ndërtua në vitin 1762. Çardaku është i mbuluar nga zgjatimi i plegmës së çatisë së pjesës tjetër të ndërtesës. Kisha është një abside, ngjason me kishat e tipit sallë me kupolë. Është e periudhës pas bizantine dhe është pikturuar në vitin 1672.

Facebook Comments