Bien çmimet e apartamenteve në bregdet

Dikur një shtëpi në bregdet ishte e preferuar për shumëkënd. Sot, të gjithë duan të shesin. Shtresa e pasur dhe shqiptarët jashtë vendit po preferojnë të blejnë një vilë. Ekspertët e real estate pohojnë se ato po shiten me shpejtësi në Jug, ndonëse janë të shtrenjta.

Tregu i apartamenteve të Jug të vendit, po mbahet nga kërkesat e të huajve. Më të interesuar duket se janë blerësit nga vendet nordike, veçanërisht norvegjezët. Këta blerës janë të përqendruar, kryesisht në Himarë dhe në Sarandë.

Interes të veçantë ka pasur për qytetin e Sarandës si pasojë e vendndodhjes gjeografike, kapaciteteve të transportit ujor dhe ato hoteliere megjithëse të vogla. Saranda ka filluar të futet në itinerarin e linjave serioze të kroçerave, duke ofruar jo vetëm bregdetin e saj të mrekullueshëm, por edhe pasuritë e saj të mëdha arkeologjike. Turistët e huaj reflektojnë kënaqësi në raportin cilësi/çmim, si dhe në nivelin e shërbimit hotelier të ofruar.

Turistët nga vendet nordike, me 30-40 mijë euro, kanë blerë një apartament. Himara dhe Saranda tërheqin, edhe për shkak të afërsisë që kanë me ishullin e Korfuzit dhe me portin. “Kemi potencialin të tërheqim edhe më shumë blerës nga këto vende, sepse stoku ekzistues i shtëpive të dyta të pashitura është i lartë. Megjithatë infrastruktura, portuale, aeroportuale, mbetet një nga problematikat përse nuk tërhiqen blerësit e huaj”,shtojnë ekspertët.

Në komplekset turistike, çmimi për metër katror shkon deri në 1850 euro katror për vilat e kategorisë “luxury”.

Çmimi i një vile varion në 200-300 mijë euro, sipas përllogaritjeve të agjencive të paluajtshme.
Për përcaktimin e çmimit të një objekti hyjnë në lojë shumë faktorë, si afërsia me bregun apo orientimi i banesave.

Megjithatë, kompanitë ndërtuese i rishikojnë çmimet në bazë të fazës së ndërtimit. Filozofia është e njëjtë, kur projekti është në fazën e parë, çmimet për metër katror janë më të ulëta, në mënyrë që të tërhiqen fondet, por kërkesa mbetet e ulët për sa kohë projekti nuk është i prekshëm. Ndërsa kur projekti është drejt përfundimit, çmimet rriten.

Kompanitë e ndërtimit tregojnë se ka pasur kërkesë në rritje për vilat.

 

Facebook Comments