Vendimi për maturantët : Ja kriteri që duhet të plotësoni për të aplikuar për shkollë të lartë

Të gjithë maturant, për të konkurruar për ndjekjen e studimeve universitare, duket të kenë mesatare mbi 6. Këtë e përcakton vendimi i ri i Qeverisë, me propozimin e ministrit të Arsimit dhe Sportit.

I njëjti kriter note vlen edhe për ata që kanë përfunduar studimet “Bachelor” dhe duan të ndjekin ato “master”.

“Kanë të drejtën të aplikojnë për t’u pranuar në programet e studimeve të ciklit të parë dhe programet e integruara të studimeve të ciklit të dytë në institucionet e arsimit të lartë kandidatët që kanë përfunduar me sukses nivelin e arsimit të mesëm/të lartë dhe që plotësojnë kriterin e notës mesatare të përcaktuar në këtë vendim.

Për të gjithë kandidatët, të cilët kanë përfunduar nivelin e arsimit të mesëm/të lartë, nota mesatare minimale për t’u pranuar në programet e studimeve të ciklit të parë dhe programet e integruara të studimeve të ciklit të dytë, në institucionet e arsimit të lartë, për vitin akademik 2017-2018, të jetë 6 (gjashtë). Nota mesatare për t’u pranuar në institucionet e arsimit të lartë përllogaritet si mesatare aritmetike e thjeshtë e treguesve të mëposhtëm:

a)    Mesatarja aritmetike e thjeshtë e notave përfundimtare vjetore të lëndëve për të gjitha vitet e shkollimit  në  arsimin e  mesëm të lartë;

b)    Mesatarja aritmetike e thjeshtë e notave të provimeve të maturës/Maturës Shtetërore”, sqarohet në vendimin që hyn në fuqi pas botimit në ”fletoren Zyrtare”.

Sipas vendimit: Kandidatët që aplikojnë për t’u pranuar në programet e studimeve dyvjeçare me karakter profesional nuk kanë detyrimin të plotësojnë kriterin e notës mesatare të parashikuar në këtë vendim.

“Institucionet arsimore të arsimit të mesëm të lartë dhe njësitë arsimore vendore janë përgjegjëse për përllogaritjen e notës mesatare dhe përcjelljen e të dhënave pranë strukturave të ngarkuara nga Ministria e Arsimit dhe Sportit.

Procedurat për njëvlershmërinë e dokumenteve të paraqitura nga shtetasit shqiptarë dhe të huaj, të cilët kanë përfunduar nivelin e arsimit të mesëm të lartë jashtë vendit dhe përllogaritja e notës mesatare për këta kandidatë të kryhen nga Ministria e Arsimit dhe Sportit bazuar në përcaktimet e pikës 2, të këtij vendimi, me përjashtim të rasteve kur nuk aplikohen provime mature, maturë shtetërore apo provime lirimi. Në këto raste, me vendim të komisionit përkatës përcaktohet mënyra e përllogaritjes së notës mesatare. Komisioni përkatës përcjell të dhënat te njësitë arsimore vendore dhe te strukturat e ngarkuara nga Ministria e Arsimit dhe Sportit.

Ngarkohen Ministria e Arsimit dhe Sportit, institucionet arsimore të arsimit të mesëm të lartë, njësitë arsimore vendore dhe institucionet e arsimit të lartë për zbatimin e këtij vendimi”, thuhet në vendonim e Këshillit të Ministrave.

Facebook Comments