Shtrenjtohet sërish çmimi i naftës

Çmimi i naftës është rritur sërish në Shqipëri. Një litër shitet me mes 170 dhe 174 lekë, nga 168 që tregtohej një javë më parë. Arsyeja, si pas Shoqatës së Hidrokarbureve, është e njëjta: është rritur çmimi i naftës në bursë.

Aktualisht Shqipëria është mes 35 vendeve me çmimin më të shtrenjtë të naftës në botë.

Por vala e rritjes nuk do të përfundojë këtu. Çmimi do të pësojë një tjetër rritje me 6 lekë për litër, për të arritur nivelin e 180 lekë për litër.

Kjo do të jetë pasojë e taksës së re që ka vendosur qeveria për rilicensimin e karburanteve.

Në mbledhjen e fundit, të mërkurën, Këshilli i Ministrave vendosi që tarifa e rilicensimit të pikave të karburanteve të jetë 3 milionë lekë për Tiranën dhe 1 milionë lekë për rrethet e tjera.

Në muajin nëntor, Gjykata Kushtetuese kishte hedhur poshtë një rritje më të madhe: 5 milionë lekë për Tiranën dhe 2 milionë lekë për rrethet.

Shoqata e Hidrokarbureve që e dërgoi në gjykatë kundështon edhe tarifën e re.

Por ata që do ta pësojnë nga kjo rritje takse janë konsumatorët.

Kompanitë që tregtojnë karburantet në Shqipëri thonë se efekti tek konsumatori do të jetë me 6 lekë për litër, si një taksë e fshehur shtesë për secilin përdorues mjetesh.

Tarifa e rilicensimit është rritur me 30 fish, sipas vendimit të Këshillit të Ministrave.

Në vendimin e parë të saj, të rrëzuar nga Gjykata Kushetuese, rritja ishte me 50 fish.

Sipas gjykatës ajo shkelte parimet e proporcionalitetit. Shoqatat e Hidrokarbureve thotë se ajo është shumë më e lartë se shërbimet që jepen, por ajo nuk do ta ankimojë më në Gjykatën Kushtetuese vendimin e ri të qeverisë. Thjesht do ta pranojë duke ua faturuar rritjen konsumatorëve.

Takat shtetërore janë arsyeja pse shqiptarët e paguajnë më shtrenjtë se qytetarët e vendeve të tjera të rajonit naftën. Nga 174 lekë, të paktën 110 janë taksa shtetërore. Me rritjen e tarifës së rilicensimit, është sërish qeveria që i shtrenjton karburantet, në kurriz të qytetarëve.

Facebook Comments