Presidenti Nishani vlerëson Himarën me dekoratën ‘Nderi i Kombit’

Presidenti Bujar Nishani zhvilloi sot një vizitë pune në Himarë, në qytetin buzë brigjeve të detit Jon. Pas urimit dhe mikpritjes së ngrohtë në shesh mitingun e shëtitores së Himarës, në një ceremoni të veçantë në prani të Kryetarit të Bashkisë Gjergji Goro, drejtuesve vendorë, anëtarëve të Këshillit Bashkiak, artistëve, dhe qytetarëve të shumtë të mbledhur me këtë rast Kreu i Shtetit çmoi me Dekoratën “Nderi i Kombit” Krahinën e Himarës me motivacionin: “Për kontributin e shquar në historinë e luftërave të kombit tonë për liri dhe emancipim shoqëror, për traditën e lavdishme, të karakterizuar ndër shekuj nga bujaria dhe besa. Bijtë e saj, me pushkë e penë, kanë ditur të shkruajnë faqe të lavdishme në identitetin tonë kombëtar, dhe të shpalosin vlera të rralla etnofolklorike kulturore”.                                                        

Presidenti Nishani vlerësoi me Titullin “Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut”, Lefter Çipën me motivacionin: “Për kontributin e tij të jashtëzakonshëm për mbajtjen gjallë të vlerave më të mira kulturore, tradicionale të bregdetit të Himarës, si një interpretues me nivel të lartë dhe krijues i suksesshëm poezish e këngësh, që janë kthyer në perla të iso-polifonisë himarjote”, Neço Mukon (pas vdekjes) me motivacionin: “Si një nga studiuesit dhe krijuesit e talentuar të trashëgimisë folklorike himarjote. Me virtuozitetin e tij të rrallë mundësoi përçimin e vlerave folklorike kombëtare brenda dhe përtej kufijve”, Odhise Kasnecin (pas vdekjes) me motivacionin: “Për kontributin e tij të çmuar për Pavarësinë e Atdheut, për rolin e tij të jashtëzakonshëm në Kuvendin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, si dhe për ndihmesën e dhënë në përhapjen e dijes e shkollave shqipe”.                                                                                

Me Titullin “Mjeshtër i Madh” u nderuan nga Kreu i Shtetit Koço Çakali (pas vdekjes) me motivacionin: “Për talentin e tij të spikatur në interpretimin e këngës polifonike himarjote. Me artin dhe mjeshtërinë e tij të të kënduarit, ka arritur të lartësojë eposin kulturor të krahinës së tij” dhe Dhamiano Bollano (pas vdekjes) me motivacionin: “Për kontributin e tij të vyer si veprimtar shoqëror, si njohës i mirë i historisë dhe traditave himarjote, me ndikim të madh në informimin dhe edukimin intelektual të shoqërisë shqiptare”.  

Me Titullin “Naim Frashëri”, u vlerësua Ansambli Artistik “Bejkë e Bardhë”, Pilur“Për nivelin e shquar artistik, shkallën e lartë të interpretimit dhe origjinalitetin e transmetimit të thesarit të këngës e valles pilurjote. Me talentin dhe virtuozitetin e tij, ky ansambël ka shënuar një faqe të veçantë në historinë e polifonisë shqiptare” si dhe Grupin karakteristik të Himarës me motivacionin: “Për ruajtjen e traditës, riteve dhe kostumeve popullore dhe interpretimin e valleve, melodive, si dhe për transmetimin e këngës tipologjike himarjote me një nivel të lartë artistik. Me interpretimin e tij virtuoz, ky grup ka mbajtur gjallë dhe ka ngritur lart nivelin etnokulturor të krahinës së Himarës”.                                                                                

Në fjalën e mbajtur me këtë rast Presidenti i Republikës, shprehu kënaqësinë personale dhe institucionale për praninë Tij në Himarë duke falënderuar nga zemra për mikpritjen, ngrohtësinë, kulturën, civilizimin kaq evidente dhe epike njerëzve në këtë krahinë simbol të patriotizmit shqiptar ndër shekuj.

“Të vish për vizitë këtu, është padyshim një kënaqësi shpirtërore. Qëkur zbret prej Qafës së Llogarasë dhe deri në këtë krahinë të rrallë, duket sikur dora e Zotit dhe e juaja ka skalitur një tablo mahnitëse, një kryevepër e Perëndisë dhe natyrorës. Po për mua si një qytetar që e kam njohur herët historinë e Himarës, ardhja në këtë vend është një nderim për një tempull të shenjtë të vetëmohimit shqiptar, në altarin e të cilit ruhet përherë zjarri i ekzistencës, qëndresës dhe rezistencës.

Në ditët tona, kur të gjitha pjesët e kombit po njihen edhe më shumë, emri i Himarës është bërë i dashur e i adhuruar në çdo skaj të truallit të lashtë shqiptar,” – u shpreh Nishani.

Më tej në fjalën e tij Presidenti evokoi ngjarje që lanë gjurmë të pa shlyera në memorien historike të kombit siç ishte pjesëmarrja e himarjotëve në kryengritjen e parë antiosmane në Shqipëri, pas vdekjes të heroi kombëtar Gjergj Kastriot Skënderbeu, jehona e së cilës mbërriti në oborret e mbretërive të Evropës apo roli i tyre specifik në lëvizjen dhe kryengritje, organizimi i himarjotëve dhe rezistenca e tyre si dhe angazhimet në Klubin “Labëria” që i dhanë hov të ri përhapjes së shkrimit të shqipes në shtëpitë dhe fshatrat e Himarës.

Duke e cilësuar kurbetin si një histori të dhimbshme të krahinës, i cili la gjurmë të pakthyeshme në fizionominë e saj, me largimin e shumë personaliteteve, Presidenti solli në kujtesën e të pranishmëve Neço Mukon krijuesin i grupit polifonik “Malet e Vetëtimës” i cili së bashku me këngëtaren Tefta Tashko regjistroi në Paris një disk me këngët virtuoze të trevës së Himarës si: “Mbeçë more shokë mbeçë”, “Vajza e valëve”, “Erdhi prilli shkriu bora”, etj. “Vajza e valëve”, që shkenca muzikore shqiptare i ka vendosur krye të muzikës shqiptare. “Kurbeti ka qenë për Himarën një epokë e dhimbshme krahinore që la në mënyrë të pakthyeshme edhe gjurmë në fizionimë e saj.

Ndërsa i bëri homazh dashurisë për arsimin që ka shoqëruar në shekuj këtë zonë, Kreu i Shtetit solli në vëmendje edhe një prej figura më të shquara të publicistikës, që tërhoqi vëmendjen e opinionit publik, Petro Marko një prej shkrimtarëve më të mëdhenj shqiptarë, lindur dhe edukuar në këtë trevë.

Në fjalën e tij, Presidenti Nishani preku edhe genin e shquar të himarjotëve, trimërinë që na frymëzon, artin kulturën, poemën, shpirtin e gjallë të të parëve të tyre që i ka bërë dhe i bën nder përjetësisht identitetit të shqiptarit. “Në saje të kontributit tuaj janë natyrshëm punonjësit e kulturës ata shkrimtarë dhe artistë që veten e tyre e kthyen në emblemë të Shqipërisë. Petro Marko si shkrimtar e Andra Varfri si studiues, Dhimitër Anagnosti si regjisor filmi e Robert Ndrenika si aktor filmi dhe teatri, Spiro Dumi si regjisor teatri apo Lefter Çipa si princi i pashpallur i muzikës popullore, janë thjesht disa maja në vargun e personaliteteve që ka nxjerrë Himara” – cilësoi Kreu i Shtetit.

Më ndjenja të forta adhurimi për cilësitë e veprat e shkëlqyera të qytetarëve të Himarës , Presidenti Nishani i cilësoi ata ‘modele të modestisë dhe thjeshtësisë së njeriut.” Duke vënë në dukje se kanë një detyrë që gjithë këtë pasuri të vyer identitare dhe vlerat njerëzore, emancipuese e civilizuese jo vetëm që nuk duhen harruar kurrë, por duhet t’ua lënë trashëgim brezave të rinj dhe atyre të ardhshëm duke i ruajtur e pasuruar edhe më tej ato.

Në përfundim të ceremonisë së dekorimeve Presidenti i Republikës, Kryetari i Bashkisë, autoritetet dhe përfaqësuesit e pushtetit vendor si dhe të pranishmit e shumtë ndoqën me ëndje një koncert me këngë iso polifonike dhe valle tradicionale të grupeve folklorike të zonës.

Facebook Comments